Fatmir Limaj viziton lagjen Dardania në Prishtinë. Kritikon pushtetarët
aktualë për
mungesë të pastërtisë në këtë pjesë të qytetit
Partia Demokratike e Kosovës, në mungesë të liderit të saj, i cili
ndodhet në Vjenë në bisedimet
për statusin, ka zhvilluar aktivitetin
e saj elektoral me kandidatin për
kryetar të Prishtinës, Fatmir
Limajn.
Pretendenti i PDK-së për fronin
komunal, të hënën ka zgjedhur
për të vizituar lagjen e Dardanisë,
në kërkim të votave të qytetarëve.
Gjatë kësaj shëtitjeje, Limajt më së
shumti i ka rënë në sy papastërtia
në këtë lagje të kryeqytetit dhe
qentë endacakë.
"E kemi parë se në çfarë gjendjeje
papastërtie është ajo lagje. Ju e
patë që qentë endacakë shëtisin
më shumë nëpër bërlloxhe të
ndryshme dhe përreth pallateve,
thuajse s'ka njeri që duhet të merret
me pastrimin e lagjes së caktuar",
ka thënë ai.
Pas këtyre kritikave të kujdesshme
ndaj pushtetit aktual, Limaj ka
thënë se papastërtia shkakton
edhe sëmundje.
"Ju e patë gjendjen e ndërtesave
dhe pallateve tona. Kjo krijon
pasiguri, papastërti, sëmundje dhe
thjesht e shëmton qytetin tonë.
Dhe ne kemi thënë se do të merremi
me zgjidhjen e problemeve
konkrete." ka premtuar ai.
Limaj i ka kushtuar rëndësi edhe
komunikacionit në këtë pjesë të
qytetit duke përmendur nevojën
e vendosjes së disa semaforëve në
kalimin "Dardani" -"Kalabri" që,
sipas tij, do t'i kontribuonte sigurisë
së qytetarëve dhe veçanërisht
të fëmijëve të kësaj pjese të
qytetit.
"Duhet një intervenim urgjent për
vendosjen e semaforëve, për të
marrë masa preventive dhe për t'i
siguruar qytetarët, për të vazhduar
më pas ndërtimin e vendkalimit
nga Dardania në Kalabri."
Fatmir Limaj, në kuadër të
fushatës elektorale për zgjedhjet e
nëntorit, ka vizituar shumë pjesë
të Prishtinës, ku ka kontaktuar
banorët për të biseduar me problemet
e tyre, ndërsa krerët e kësaj
partie janë duke zhvilluar një
fushatë intensive në kërkim të
mbështetjes nga qytetarët.


|