Shkruar nga Glauk Konjufca
Kosova qe tetë vjet qeveriset prej Institucioneve të Përkohshme të
Vetë-Qeverisjes së UNMIK-ut, që tashmë janë bërë të përhershme.
Falë
këtyre institucioneve vetëm një gjë ka qenë e sigurt për qytetarin e
Kosovës: teposhtëzja e jetës së tij, përkeqësimi i mirëqenies,
mashtrimi e poshtërimi. Meqë këto institucione janë të UNMIK-ut, por
jo
të popullit, degradimi i jetës së qytetarit nuk është devijim a
mosplotësim i funksionit të këtyre institucioneve, por pikërisht
realizimi i mandatit të vërtetë që ato kanë. Mandat për t’ia
lehtësuar
punën UNMIK-ut, mandat për ta legjitimuar praninë e këtij regjimi
antidemokratik, por kurrsesi mandat për zhvillimin ekonomik të Kosovës
si dhe për realizimin e interesave e qytetarëve. Prej partive politike
aktuale këto institucione janë shfrytëzuar për pasurim personal, për
interesat e ngushta të udheheqësive partiake, për manipulime
tenderësh,
për punësimin e familjarëve e kushërinjve dhe për asgjë tjetër.
Deri
sot janë mbajtur katër palë zgjedhje për kësi lloj institucionesh.
UNMIK-u dhe partitë politike edhe pas gjithë kësaj gjendjeje të
padurueshme politike e ekonomike që vetë e kanë krijuar, edhe pas
fyerjeve të panumërta që ia kanë bërë qytetarit të Kosovës,
paturpësisht po e ftojnë atë që për herë të pestë të votojë për
po të
njëjtat institucione, që me shumë sukses na kanë çuar drejt humnerës
shoqërore, politike dhe ekonomike. Prandaj, ne jemi kundër këtyre
zgjedhjeve, sepse këto janë zgjedhje për t’ua zgjatur jetën atyre
që
qyetarit po ia shkurojnë jetën. Ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve sepse
nëpërmjet tyre nuk do të përmirësohet jeta e qytetarit, por jeta e
një
grushti politikanësh mashtrues; ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve sepse
me to nuk do të rritet pensioni fyes i plakut, por xhepi i servilëve të
UNMIK-ut; ne jemi kundër këtyre zgjedhjeve sepse këto zgjedhje me
siguri nuk do të ndërtojnë shtëpi për invalidët dhe veteranët e
luftës,
por sigurisht që do të ngrisin pallatet shumëkatshe të politikanëve.
Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër zgjedhjeve si element i
patjetërsueshëm i demokracisë, por jemi kundër KËTYRE zgjedhjeve,
sepse, në kohën kur popullit i mohohet liria dhe vetëvendosja, këto
janë zgjedhje pa demokraci. Zgjedhjet pa demokraci, e të cilat nuk janë
zgjedhje për ta sjellur demokracinë, por për ta vazhduar gjendjen
ekzistuese, janë zgjedhje antidemokratike. Ne thërrasim që, si të
tilla, ato të bojkotohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër
institucioneve si element i domosdoshëm i organizimit shoqëror e
politik, por ne jemi kundër KËTYRE institucioneve që po na e mohojnë
vullnetin, po na i shkelin interesat , po na e shkatërojnë të tashmen,
prandaj po na e rrezikojnë të ardhmen.
Por jo vetëm kaq: të kesh votuar në këto zgjedhje do të thotë të
kesh
votuar për thellimin e krizës ekzistuese; të jesh pajtuar me
përdhosjen
e dinjitetit; të mendosh që statusi i Kosovës nuk i takon popullit, por
Grupit të Unitetit, UNMIK-u dhe Serbisë; ta kesh miratuar copëtimin e
Kosovës nëpërmjet decentralizimit dhe të jesh i një mendjeje që
trashëgimia kulturore dhe historike mesjetare e Kosovës të quhet
kulturë serbe, ashtu qysh e quan “eksterritorialiteti“ në Pakon e
Ahtisaarit. Meqë institucionet politike i ka ndërtuar dhe i kontrollon
UNMIK-u e jo populli i Kosovës, të votosh për to do të thotë të kesh
votuar për UNMIK-un.
Zgjedhjet e nëntorit do të jenë si të gjitha të mëparshmet.
Premtimet
do të jenë po të njëjtat sepse ato nuk janë përmbushur. Zgjedhjet
në
Kosovë janë të reduktueshme në përsëritje premtimesh. Vazhdimësia e
jetës politike të mashtruesve e gënjeshtarëve mund të ekzistojë
vetëm
si premtim. Sërish do të na e premtojnë ata pavarësinë në fund te
vitit
2007, ashtu siç na e patën pemtuar atë në qershor të vitit 2006. Në
fund të vitit do të na thonë që pavarësia vjen gjatë vitit 2008 dhe
do
të vazhdojnë kështu deri në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht, do të
vazhdojnë po i lejuam që të vazhdojnë.
Ne jemi kundër zgjedhjeve të tilla, pra kundër këtij kori të zymtë
të
përsëritjes së mashtrimeve, sepse jemi për referendum. Referendum për
liri. Referendum në të cilin populli i Kosovës lirshëm do ta
përcaktonte statusin politik të vendit dhe drejtimin e tij të
zhvillimit. Vetëvendosja e popullit që do të materializohej nëpërmjet
referendumit është e vetmja kontratë e drejtë ndërmjet institucioneve
politike dhe popullit sovran si garanci fundamentale e demokracisë.
Institucionet që do të dilnin prej këtij referendumi e që do ta kishin
burimin te sovraniteti i popullit, do të themelonin kushtetutën e
Kosovës që do ta mishëronte vullnetin e popullit dhe historinë e tij.
Do të krijoheshin institucionet shtetërore të mbrojtjes së këtij
vullneti, prej të cilave më e para ushtria e Kosovës që do ta mbronte
lirinë dhe sovranitetin e vendit.
Në mënyrë që qytetari i Kosovës të vetëdijësohet për thelbin dhe
mashtrimin që po i përgatitet nëpërmjet zgjedhjeve, Lëvizja
VETËVENDOSJE! fillon fushatën antizgjedhore.


|