Lufta e ardhshme në Kosovë
E kaluara na mëson se Serbia është kërcënimi kryesor i sigurisë në
Ballkan edhe atëherë kur përdor gjuhën e paqes dhe ligjit. Fuqitë
perëndimore nuk duhet t‘u besojnë udhëheqësve aktualë serbë dhe
të
mësojnë nga gabimet e tyre, duke lexuar librin e Florence Hartmann. Në
memoaret ‘Paix et Châtiment‘ (Paqe dhe Dënim), Hartmann shkruan se
për
aq kohë sa të mbijetuarve u mohohet drejtësia, "të vdekurit e
Srebrenicës do të ndjekin të gjallët në kontinentin e vjetër si
fantazma".
Nga 2000 deri më 2007, Hartmann ka qenë zëdhënësja e Carla del
Pontes,
kryeprokurores të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në
ish-Jugosllavi.
Libri i saj është i hidhur ndaj fuqive perëndimore, jo vetëm ndaj
Evropës, por edhe SHBA-së. "Ata kanë këmbyer drejtësinë për
siguri",
thotë Hartmann. Diplomatët, sikurse shërbimet informative dhe
paqeruajtësit, kanë penguar arrestimin e Ratko Mladićit dhe Radovan
Karadžićit (të akuzuar për masakrën e Srebrenicës), në një
konspiracion
të heshtur me udhëheqësinë nacionaliste serbe, që vazhdon të
strehojë
dy kriminelët e luftës.
Ajo që e bënë urgjente nevojën për ta lexuar këtë libër është se
rrëfimi për Tribunalin Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi
është
më shumë se një dramë morale për rolin e drejtësisë ndërkombëtare
dhe
të drejtat e njeriut në situata pas konflikteve. Ajo është një
dëshmi
se si do të duket e ardhmja e afërt sërish në rajon, sidomos tani kur
aspirata e Kosovës për pavarësi duhet të përballet, sërish, me të
njëjtat forca që ia mohuan përgjakshëm Bosnjës të vetat. Hartmann
gërmon nëpër dokumentacionin qenësor që iu është mohuar Tribunalit
për
një kohë të gjatë, mes tyre, stenogramet e Këshillit Suprem të
Mbrojtjes të Republikës Federative të Jugosllavisë, që ende mbeten
të
mbyllura për publikun.
Ajo tregon se si Miloševići dhe autoritetet serbe orkestruan dhe
bashkëvepruan në luftën kriminele në Bosnjë, ndërsa pretendonin se
janë
duke u tërhequr nga ajo; si e përhumbën përfshirjen e tyre duke shtuar
brenda radhëve të njësiteve ushtarake boshnjake njësitet e tyre
speciale të Ministrisë së Brendshme; dhe si ata financuan dhe mbrojtën
Mladićin dhe Karadžićin nga koha e aktakuzës ndaj tyre deri më sot.
Ky
është pohim që kërkon shumë vëmendje. Asnjëri në udhëheqjen serbe
pas-miloševićiane, me përjashtim të veçantë të kryeministrit Zoran
Đinđić, nuk u është shmangur politikave të Miloševićit.
Đinđići e ka dorëzuar Miloševićin në Hagë dhe është munduar të
dorëzojë
Mladićin, por e kanë vrarë në mars 2003. Koštunica ishte pasardhësi
i
tij si kryeministër i Serbisë. Si President, ai kishte kundërshtuar
arrestimin e Miloševićit dhe me shumë hezitim ka pensionuar Mladićin
nga ushtria serbe në maj 2002. Pikërisht nën këtë qeverisje të tij,
Karadžići dhe Mladići kanë jetuar të lirë me vite në Serbi, shpesh
duke
vizituar Bosnjën. Koštunica tani po bëhet gati të luftojë betejën e
Kosovës, siç ka dëshirë ai të thotë. Ai nuk është vetëm. Ndërsa
parlamenti i ri i Kosovës po përgatitet të shpallë pavarësinë nga
Serbia, një Beograd i bashkuar dërgoi një porosi mospërfilljeje:
Serbia
do ta mbrojë Kosovën me çdo kusht.
Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremić, gjithmonë përsërit se kjo nuk do të
thotë që Serbia do të hyjë në luftë. Para pak kohësh, duke mbajtur
fjalim forcave ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, Presidenti
Tadić siguroi se "Forcat e Armatosura të Serbisë do të veprojnë në
përputhje me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare". Nëse nuk ka
kërcënim
për luftë, atëherë pse të flitet për të aq shumë? E vërteta
është se,
si në Bosnjë, forcat speciale tashmë janë të vendosura brenda. Kur
Kosova të deklarojë pavarësinë, ata do t‘i bashkangjiten policisë
serbe, që tashmë është pjesë e Shërbimit Policor të Kosovës për
të
marrë nën kontroll çdo komunë me shumicë serbe. Ata do të sigurohen
që
këto zona të pastrohen nga shqiptarët. Dhe Beogradi do të fajësojë
çfarëdo dhune nga elementët ekstremistë. Faji kryesor natyrisht do
t‘i
vihet SHBA-së dhe shteteve tjera që vendosin njohjen e pavarësisë së
Kosovës.
Ndonëse asgjë nuk ndodhë saktësisht në të njëjtën mënyrë, kjo i
ngjet
shumë situatës në Bosnjë. Ajo që është e habitshme është
gatishmëria e
fuqive botërore ta shohin të ndodhë sërish. Sikurse përshkruan
Hartmann, në Bosnjë ata kishin mjaft informacion të parashikonin
tragjedinë e Srebrenicës, si dhe Sarajevën dhe shumë masakra tjera.
Ata
e dinin që arkitektët e spastrimit etnik ishin në Beograd. Në
përgjimet
e siguruara nga Tribunali, Hartmann e dëgjon Miloševićin e ekscituar,
duke përgëzuar Mladićin për fitoren në Srebrenicë, duke mos besuar
se
Perëndimi i ka lejuar të marrë territor ku serbët nuk kishin jetuar
kurrë më parë. Fuqitë botërore kanë vulosur spastrimin etnik, që
ndau
Bosnjën, dhe shkëmbyen drejtësinë për siguri. Ata kurrë nuk e kanë
pasur ndërmend t‘i rrezikojnë paqëruajtësit e tyre në Bosnjë për
të
sjellë Mladićin dhe Karadžićin para drejtësisë. Edhe pse gjithmonë
e
kanë ditur me saktësi ku fshihen këta kriminelë, janë bërë sikur
nuk e
dinë. Ata provuan, siç thotë Hartmann me hidhërim, të mbronin
Miloševićin nga aktakuza për gjenocid. Ekstremistët vendas,
argumentohej atëbotë, janë përgjegjës për gjenocidin në Bosnjë, e
jo
Beogradi. Ata menduan se do ta izolojnë krizën. Ajo u përhap në
Kosovë,
ku të mbijetuarve ende nuk u është dhënë e drejta e thjeshtë për
të
zgjedhur, me referendum, lirinë nga Serbia. Nacionalizim serb, i mundur
për një kohë të shkurtër pas rënies së Miloševićit, është
rikthyer
plotfuqishëm me taktikat e vjetra. Momir Stojanović, ish-drejtori i
Shërbimit Informativ të Ushtrisë Serbe, para pak kohësh i tha gazetës
"Glas Javnosti" se civilët shqiptarë po planifikojnë përndjekjen e
serbëve në Kosovë. Kjo është propaganda e njëjtë që ka përgatitur
armatimin e paramilitarëve serbëve dhe që çoi në luftë në Kroaci,
Bosnjë e Kosovë. Ky është një sinjal i rrezikshëm për rajonin, dhe
një
kujtesë se pa drejtësi nuk do të ketë siguri.
Anna Di Lellio


|